Gërxhaliu: Diaspora faktor kyç në zhvillimin ekonomik të vendit

Gërxhaliu: Diaspora faktor kyç në zhvillimin ekonomik të vendit

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka organizuar takim me përfaqësues të diasporës nga fusha të ndryshme përfshirë ekonominë, edukimin dhe shëndetësinë.

Kryetari i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu tha se diaspora ka ndihmuar edhe Kosovën edhe Shqipërinë në zhvillimin ekonomik.

Duke u drejtuar të pranishmëve ai tha se ata janë ambasador të zemrës.

“Nëse kam një pikë të dobët është diaspora. Çka do që ne si Kosovë dhe Shqipëri bëjmë për juve nuk është mjaftueshëm. Problemi që ne ballafaqoheni është se për diasporën më shumë flasim se sa bëjmë, problem është që diaspora analizohet vetëm në aspektin financiar”.

“Unë besoj që pajtoheni me mua se politikanët më shumë merren ta bëjnë më të bukur të kaluarën se sa ta ndërtojnë ardhmërinë. Besoj që është koha kur duhet të ndryshojmë qasjen ndaj diasporës sepse ju jeni ambasador të zemrës. Duam që të jemi pjesë e ndërtimin e Evropës dhe jo barrë e saj”, tha ai.

Nga ana e saj, Anduena Stephan konsule nderi e Shqipërisë në Gjermani në prezantimin e të pranishmëve të cilët vijnë nga fusha të ndryshme e që veprojnë në diasporë, tha se janë të gatshëm të ndihmojnë në zhvillimin e mëtutjeshëm të vendlindjes.

“Në këtë ditë dialogu për ne është e rëndësishme një formule ekonomike. Investimi i diasporës duhet të kthehet në veprime konkrete”, tha ajo.

Aty u vendos që OEK dhe përfaqësues të diasporës të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për hapjen e mundësisë së bashkëpunimit të diasporës me vendlindjen.

Gjithashtu u diskutua edhe ideja për themelimin e Akademisë së Ndërmarrësisë së Grave.

 

Publikuar më 04.04.2018