OEK me qasje gjithëpërfshirëse për të shtyrë përpara agjenden zhvillimore

OEK me qasje gjithëpërfshirëse për të shtyrë përpara agjenden zhvillimore

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka mbajtur sot  konferencë për media, ku ka shpalosur mendimet rreth zhvillimeve të fundit ekonomike, sfidave me të cilat po ballafaqohen bizneset dhe progresin që po bën OEK në adresimin e tyre. Fokus i kësaj konference për media ishin problemet me të cilat po ballafaqohen prodhuesit e ujit dhe sektori i pijeve joalkoolike dhe alkoolike përkatësisht akciza dhe taksa ujore, arritja e marrëveshjes për themelimin e Grupit të Përhershëm të Komunikimit me Komunën e Prishtinës, ideja për krijimin e një zyre që lehtëson komunikimin ndërmjet  KEDS-it dhe bizneseve, Ligji për TVSH-në dhe zhillimet e tjera ekonomike në vend.

Kryetari Rukiqi gjatë konferencës ka përmendur se çështja e taksës ujore dhe e akcizes,  janë dy nga sfidat kryesore që e përcjellin sektorin e pijeve alkoolike dhe jo alkoolike dhe prodhuesit e ujit. I vetmi vend në rajon i cili ka ende  akcizë në prodhimin e pijeve alkoolike është Kosova. OEK beson se heqja e kësaj akcize do të ndikoj pozitivisht në rritjen e numrit të të punësuarve, në uljen e informalitetit dhe rregullimit të konkurrencës në këtë industri. Sa i përket taksës ujore është i domosdoshme një epilog për këtë temë e cila afekton direkt prodhuesit e ujit dhe akoma mbetet e pazgjidhur për kohë të gjatë.

Mes tjerash Kryetari Rukiqi ka përmendur vizitat me bizneset dhe një ndër problemet kryesore që ata hasin është çështja e energjisë elektrike. OEK është duke hartuar një marrëveshje me KEDS-in që në Oden Ekonomike të Kosovës të jetë një qendër permanente e dhënies së këshillave për biznese sa i përket çështjeve që lidhen me furnizimin me energji. Propozimi tjetër për Qeverinë është që për kompanitë prodhuese, qeveria të jetë subvencionuese në kyçjen e energjisë elektrike.

Rukiqi foli edhe për Ligjin për TVSH-në dhe tha se duhet të zgjidhen disa elemente sa i përket kësaj çështje duke përfshirë këtu eleminimin e paqartësive që ka sjell ligji i mëparshëm, mekanizmi i mbledhjes së TVSH-së brenda vendit e jo në kufi si dhe krijimi një agjencie që merret vetëm me TVSH.  

Kreu i OEK-ut, Berat Rukiqi tha se asnjë agjendë politike nuk duhet ta pengojë aspektin ekonomik të vendit  Ai e  mbylli konferencen për media me shpresën që që kur të kthehet Parlamenti në sezonin e ardhshëm të mos merret me Rezoluta, por më shumë me çështje të ekonomisë sepse shumë rezoluta të qeverisë s’i kanë ndihmuar ekonomisë.

OEK do të punoj shume për komunikim të  hapur me publikun, komunikim të hapur me bizneset dhe qasje më gjithëpërfshirëse për të shtyrë përpara agjenden zhvillimore.

Publikuar më 06.08.2018