Aeroporti duhet zgjeruar

Shefat ekzekutivë dhe përfaqësues të tjerë të tre kompanive konkurrente, të kualifikuara për të marrë me koncesion Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Fraport Ictaf Hava Limani Isletme A.C, konzorciumi Bouyges Batiment - Egis Segap dhe konzorciumi Limak - Aeroport de Lion u shprehën shumë të kënaqur dhe të befasuar me gjendjen aktuale të të vetmit aeroport në Kosovë.

 

Gjatë një vizite që i bënë ata aeroportit, në kuadër të Konferencës për Investitorë që po mbahet nga ana e Qeverisë së Kosovës, ata u njohën nga ana e drejtorit menaxhues Agron Mustafa me performancën financiare dhe operative të kompanisë gjatë viteve të fundit.

 

"Mund të ju them me bindje të plotë se ANP është një prej aeroporteve më atraktive në regjion. Jemi certifikuar në fund të vitit 2008 me një certifikatë ndërkombëtare nga Islanda, certifikatë që dëshmon plotësimin e kritereve ndërkombëtare për operim", ka thënë drejtori i ANP`së, Agron Mustafa.

 

Dëshmi e atraktivitetit të këtij aeroporti, tha ai, është fakti se tek ne operojnë kompanitë më të njohura përfshirë British Airways, Austrian Airlines, Turkisht Airlines, Air Berlin, Swiss, Malev, Germania dhe shumë kompani të tjera të njohura.

 

"Numri i udhëtarëve që kanë operuar këto kompani gjatë 2009 është mbi 1.2 milion udhëtarë", tha ai. Sipas tij, fitimet neto të aeroportit në vitin 2009 duke përfshirë disa të hyra të jashtëzakonshme janë rreth 11 milionë euro, ndërkohë që kompani tjera të mëdha dhe me emër pritet të operojnë në këtë aeroport nga sezoni veror.

 

"Mund të ju them edhe një lajm të mirë. Easy Jet, kompania më e madhe ndërkombëtare e fluturimeve të lira është para vendimit final për të fluturuar minimum 4 herë në javë nga Zvicra në Prishtinë dhe anasjelltas"

 

Pas prezantimit shefat edhe përfaqësuesit e tre kompanive konkurrente, kanë vizituar pothuajse të gjitha pjesët e aeroportit, nga ku u ndanë shumë të kënaqur. Philipp Bernard, Zyrtari Kryesor Ekzekutiv (CEO) i Aeroportit të Lionit, tha se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është shumë atraktiv dhe i zhvilluar.

 

"Jemi të befasuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. Na ka befasuar sidomos fakti që ky aeroport operon me standarde të larta ndërkombëtare. Çdo gjë është në vendin e vet", tha Bernard. Aeroporti, do të privatizohet në prill të këtij viti.

 

Burimi: gazetaexpress.com


Komentet:



Email:






Oda Ekonomike e Kosoves mban te drejten e perzgjedhjes se komenteve qe do te botohen.
Komentet e vizitoreve nuk pasqyrojne qendrimet dhe pikepamjet e OEK.



    go button