Privatizimi i Postës dhe Telekomit të Kosovës është në fazën finale. Është evidentuar pasuria. Modeli dhe kriteret për privatizimin e saj janë caktuar. Njësitë e kompanisë do të ndahen në dysh duke mbetur njëra nën menaxhimin komplet të qeverisë. Vendimi për 25 për qind aksione në PTK është miratuar nga qeveria.
Tash pritet të realizohet procesi tenderues. Nëse do të shkojë gjithçka në rregull, atëherë vlerësimi final i ofertave do të bëhet më 15 nëntor të këtij viti.
Këto janë disa nga planifikimet e qeverisë për privatizimin e PTK`së, të cilat Express i ka mësuar përmes një draftplani të krijuar nga këshilltari i transaksionit bashkë me qeverinë.
Përmes burimeve të saj, Express ka marrë vesh se Qeveria e Kosovës do të caktojë një sërë kriteresh për kompanitë që duan ta përvetësojnë kompaninë më profitabile në Kosovë.
Por, kryesori, sipas burimeve, do të jetë vlerësimi i kompanisë.
“Do të thotë, përparësi ka ajo kompani që e vlerëson më shumë PTK`në. Pra, ai që jep më shumë para”, tha një burim. Kjo do të jetë përparësia më e madhe e një konkurrenti.
Qeveria, në një mënyrë, edhe i ka vënë një çmim minimal PTK`së. Ai është që mos të shitet asnjë metelik nën 400 milionë.
Kjo për shkak të aseteve të mëdha të PTK`së që kapin shifra multimilionëshe.
Këshilltarët kanë rekomanduar që pas privatizimit, të ndahet njësia e postës nga ajo e telekomunikacionit.
PTK ka tri njësi. Postën, telefoninë fikse e internetin dhe telefoninë mobile.
Kriter tjetër për privatizimin e PTK`së, do të jetë edhe qarkullimi vjetor i kompanisë konkurruese, pasuria e tij, përvoja në fushën e telefonisë mobile dhe masa e abonentëve të telefonisë.
Paraprakisht raporti për privatizimin e PTK`së do të shkojë në Kuvendin e Kosovës për miratim. Pas miratimit do të nisë faza parakualifikuese.
“E pas fazës parakualifikuese, tenderi do të shkojë me dorëzim të ofertave dhe hapje të tyre brenda ditës, për shkak të transparencës”.
Rëndësi të madhe, qeveria ka vendosur t`i japë edhe transparencës në këtë proces. Për këtë edhe do ta bëjë hapjen e atypëratyshme.
Aktualisht, po diskutohet marrëveshja për mos-largimin e punëtorëve në një periudhë prej më së paku tri vjetësh.
Kuvendi kah fundi i muajit gusht do ta miratojë privatizimin e PTK`së.
Njësia e postës do të mbetet kompani shtetërore.
Express ka marrë vesh se kompanitë potenciale për ta privatizuar kompaninë publike telekomunikuese janë: Deutche Telecom dhe Turk Telecom. Këto kompani herë pas here kanë paraqitur në qeveri edhe disa kërkesa. Ato kanë kërkuar të shqyrtohet kontrata e MVNO`së - Z Mobile.
Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, në një intervistë për Express ka treguar se orientimi i qeverisë është të mbajë një pjesë të konsiderueshme të aksioneve me qëllim që t`i shesë në një të ardhme kur do që vlerësohet se shteti i Kosovës ka nevojë për t` shituar ato. Ai ka treguar se me paratë që do të grumbullohen nga shitja e ndërmarrjeve publike dhe paratë e donacioneve, do të dedikohen për ndërtimin e autostradës. Qeveria gjithsesi do ta përmbyllë privatizimin e PTK`së brenda këtij viti dhe paratë mund të derdhen në buxhet vitin e ardhshëm. Ai s`ka dashur në asnjë mënyrë të deklarojë çmimin e kompanisë.
“Nuk besoj se ndonjë ekonomist i zoti, nëse ka ndjenjë profesionalizmi, që mund të marr
guximin profesional të mund të thotë se kaq do të shitet PTK`ja”.
Privatizimi i PTK`së, sipas tij, nuk është heqje qafe, por në saje të dinamikave në treg, kjo kompani është duke humbur shkallën e profitit sipas gjitha analizave dhe
konkurrenca në treg është shumë e fuqishme.
Burimi: gazetaexpress.com/ Korrik 2010