Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, ka konfirmuar angazhimin e tij për të negociuar me institucionet financiare në kërkim të mundësive për dhënien e kredive me kamata më të volitshme për bujqit.
"Kam pasur takime me institucionet financiare dhe në këto takime kemi shfaqur qëllimin tonë për bujqit, pra që të kenë më shumë vëllim të kredive dhe këto kredi të jenë me norma më të ulëta.
Ata kanë treguar interesimin e tyre. Mirëpo, ne si dy palë nuk mund t'i caktojmë normat e kredive", ka thënë ministri Stavileci në një intervistë për media.
Stavileci është shprehur po ashtu se sektori i drithërave mbetet sektori më ipërkrahur nga ministria se për këtë sektor dhe të tjerët do të ketë rritje të subvencioneve.
"Vjet janë dhënë nga 90 euro për hektarë me grurë dhe po shikojmë mundësitë që këtë vit të ketë rritje të kësaj shume. Sivjet do të subvencionohen edhe mbjelljet vjeshtore, edhe derivatet dhe jemi duke e bërë një model, që ndoshta si pako subvencionesh ta futim edhe farën e grurit që vitin e kaluar ka pasur rënie drastike të sipërfaqeve të mbjella me grurë", ka thënë Stavileci.
Ministri nuk parashikon se çfarë mund të jenë efektet ndryshe nga ato që janë planifikuar, mirëpo insiston se në perspektivë do të ketë më shumë përkrahje financiare.
"Ne kemi arrit që të kemi në industrinë përpunuese të produkteve bujqësore 5 milionë euro subvencione nga Komisioni Evropian. Kemi arritur që përmes TIK-ës turke të kemi ndihma në ristruktimin e serrave. Projekti i Bankës Botërore që do të jetë grante të drejtpërdrejta për fermerët, pastaj me USAID-in që të gjitha këto do të ndikojnë në përmirësimin e bujqësisë."
Stavileci ka komentuar edhe premtimet që janë dhënë për heqjen e TVSH-së për qumështin. "Ndoshta modeli më i mirë do të ishte ai i përshkallëzimit të TVSh-së, pa paragjykuar se cili do të jetë rekomandimi I këtij grupi punues. Do t'i trajtojmë modelet gjithëpërfshirëse, qumështin, grurin dhe të gjitha do t'i shikojmë si është e rregulluar në regjion dhe cili është modeli më i mirë."