Vendimi i Qeverisë për aplikimin e masave reciproke ndaj produkteve të Serbisë dhe vënies se taksave doganore prej 10 për qind për mallrat e Bosnjës dhe Hercegovinës, do të ketë kuptim vetëm nëse zbatohet në tërësi dhe në të gjitha pikat doganore të Kosovës. Kështu thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike. Në të kundërtën, sipas tyre, efektet e këtij vendimi nuk do të arrijnë planifikimet e palës kosovare.
Milazim Abazi, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë se një vendim të tillë ekzekutivi i vendit është dashur ta vendosë në vitin 2008, kur Serbia bllokoi produktet e Kosovës. “Qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes që të forcojë masat administrative në kufi, në mënyrë që të mos të ketë rritje të kontrabandës”, thotë Abazi. Ai ka deklaruar se ekonomia joligjore nga pjesa veriore e Kosovës, ka mundësi që të rritet, nëse qeveria dhe qytetarët nuk do të jenë të kujdesshëm.
Muhamet Sadiku, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se Serbia dhe Bosnja, me vite e kanë dëmtuar ekonominë kosovare, kështu që vendimi i qeverisë ka qenë i mirëpritur. Ai, dyshon se ky vendim mund të zbatohet në gjithë territorin e Kosovës.
“Duke pasur parasysh që një pjesë të kufirit të vetë, në pjesën veriore, institucionet e Kosovës nuk e kontrollojnë dhe as që kanë qasje, ky vendim rrezikohet që në mënyrë të plotë të zbatohet në të gjitha pikat doganore të Kosovës. Por, kjo vërtetë do të shtojë edhe presionin e ekonomisë joformale duke ofruar ‘mundësinë’ për një invazion joformal të importeve të Serbisë, në tregun e Kosovës”, shprehet Sadiku.
Vendimi është bazuar në faktin se kanë dështuar arritjet e marrëveshjeve për njohjen e vulave doganore të Kosovës dhe për këmbimin e lirë të mallrave, në procesin e dialogut me Serbinë, në Bruksel.
Ndryshe, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë shtetet të cilat që nga viti 2008 kanë bllokuar produktet kosovare, në kuadër të marrëveshjes për tregti të lirë më Evropën Juglindore, e njohur më shkurtesën CEFTA.
Ndërsa mallrave më vulë të Republikës së Kosovës, nuk iu është lejuar as transit të kalojnë nëpër këto dy shtete. /Rel/Telegrafi/