The disappointing economy

Prishtinë, 4 Mars 2010 - Bankat komerciale në Kosovë, përfshirë këtu edhe Bankën Qendrore, po e gjunjëzojnë për ditë e më shumë ekonominë e vendit tonë. Këto banka me kamatat e larta po godasin fort bizneset kosovare, shumë prej të cilave i kanë dërguar edhe drejt falimentimit. Konstatime të tilla dolën nga një debat me temë për normat e larta të interesit të këtyre bankave.


Në anën tjetër drejtues të institucioneve financiare u mbrojtën duke kërkuar siguri dhe zbatueshmëri të kontratave, edhe pse numri i kredive të këqija është ulur në nivele shumë të ulëta. Debati u koncentrua edhe rreth mënyrës së krijimit të një skeme për rritje të qëndrueshme ekonomike, ndërmjetësimi financiar dhe sjellja e bankave në Kosovë. Edhe për mundësitë e investimeve në sektorin privat, mjedisin ligjor, të drejtat pronësore dhe zbatimi i kontratave.


I shqetësuar për moszhvillimin ekonomik u shpreh përfaqësuesi civil ndërkombëtar Pieter Feith, i cili tha se ICO e përkrah BQK`në në zhvillimin e saj, për shkak se Kosova ka nevojë që të ketë më shumë rritje ekonomike dhe zhvillim ekonomik.


"Siç kam theksuar edhe në shumë hera të tjera, Kosova ka nevojë të bëjë më shumë përpjekje që të lehtësojë rritjen ekonomike. Investimet në sektorin privat fatkeqësisht mbesin në nivel shumë të ulët dhe eksporti i Kosovës është dëshpërues", tha Pieter Feith.


Kompanitë private, sipas tij, duhet të jenë më aktive për të prodhuar ide të reja për biznes, për përfitimet e përgjithshëm të tyre si dhe për punësim. Ai shprehu pakënaqësinë e tij për zhvillimet e vogla ekonomike në vend. Profesori Muhamet Mustafa, nga instituti Riinvest, deklaroi se në Kosovë oferta e varfër dhe mungesa e konkurrencës është faktori kryesor i interesave të larta. Ai tha se duhet të rritet oferta e të ulet norma e kredive dhe të përmirësohet siguria, njëherësh edhe të zhbllokohen fondet e privatizimit dhe pensioneve.


"Unë propozoj që të rritet oferta e kredisë përmes shfrytëzimit të fondeve të ngrira të Kosovës, të shfrytëzon kredi nga Banka Botërore dhe nga Banka Evropiane dhe nga ICA, për sektorin privat për linja të caktuara dhe të rritet siguria duke u nisur nga efikasiteti më i madh i tyre dhe të gjitha këto së bashku do të ndikojnë në rënien e interesave dhe në përmirësimin e situatës edhe te bizneset edhe te bankat", tha Mustafa.


Ai tha se nuk mund të ketë situatë të mirë te bankat pa situatë të mirë te bizneset ose te buxhetet familjare. Edhe shumë ekonomistë tjerë goditën bankat dhe Qeverinë e Kosovës për mosdhënie të alternativës apo moskrijimit të një strategjie për ta kaluar këtë ngërç ekonomik. Guvernatori i BQK`së, Hashim Rexhepi, si gjithmonë, u doli pak në mbrojtje bankave. Tha se kjo konferencë është bërë për shkak se normat e interesit të kredive janë shumë aktuale edhe tek opinioni publik, por edhe te komuniteti i biznesit.


Sipas tij, qëllimi është që nxitja e diskutimit të brendshëm, krijimi i kushteve për një zhvillim më të mirë ekonomik në Kosovë, si dhe atraktiviteti në tërheqjen e investimeve të jashtë në Kosovë. Normat e interesit, sipas tij, në kontinuitet kanë një rënie të lehtë, mirëpo mbi të gjitha e vërehet se kërkesa për kreditë është jashtëzakonisht e madhe, që shpeshherë bankat i bëjnë të jenë mjaft konformtabile në kuptimin e plasimit të mjeteve të tyre.


"Normal që e mbajnë gjendjen ekzistuese pasi që Kosova nuk ka politikë monetare dhe e kemi euron si mjet pagese. BQK nuk ka një varg të instrumenteve të politikave monetare më të cilat mund të ndikojnë në normat e interesit", tha Rexhepi.


Norma e interesit, deklaroi guvernatori, është një kategori e pastër ekonomike e cila ndikohet nga kushtet e kërkesës dhe nga ambienti i përgjithshëm i zhvillimit në të cilin operojnë bankat.

 

Burimi: gazetaexpress.com/ 5 Mars 2010


Komentet:



Email:






Oda Ekonomike e Kosoves mban te drejten e perzgjedhjes se komenteve qe do te botohen.
Komentet e vizitoreve nuk pasqyrojne qendrimet dhe pikepamjet e OEK.



    go button