Tenders for Airport concession opened

Komiteti Drejtues Ndërministror ka bërë publike ofertat e kompanive që kanë konkurruar për partneritetin publiko privat në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), ku pritet që pas një jave të dihen edhe ofertat financiare të konsorciumeve konkurruese.


Zyrtarët vendorë dhe ndërkombëtar e kanë vlerësuar këtë si një epokë e re për Kosovën ku për herë të parë po fillon procesi i partneritetit publiko-privat.


Konsorciumet që janë në konkurrim janë Limak Aeroports de Lyon Consortium, ICF Fraport IC ICTAS konsortium Hawalimani dhe Prishtina Aeroports International Consortium (IPAC).


Në hapjen e këtyre ofertave kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës pranon ofertat nga të tri konsorciumet e para-kualifikuara për të drejtën e operimit dhe të zgjerimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, me një kontratë 20-vjeçare të koncesionit.


Sipas tij nga ofertuesi i përzgjedhur do të kërkohet të modernizojë dhe të zgjerojë aeroportin e vetëm komercial të vendit, duke investuar rreth 100 milionë euro në infrastrukturën e re, përfshirë këtu ndërtimin e një ndërtese të re të terminalit.


"Është vendosur me kriteret e vlerësimit të përcaktuara në dokumentet e tenderit. Ky proces do të marrë një kohë të caktuar dhe do të ndërmerret një ekip vlerësues që përbëhet nga ekspertë me kualifikime përkatëse. Qeveria beson dhe do të jetë jashtëzakonisht e përkushtuar që e gjithë procedura siç ka qenë deri më tani të vazhdojë të jetë transparente në kuadër të vlerësimit të vet", ka thënë Thaçi.


Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit (MTPT), Fatmir Limaj në emër të Komitetit Ndërministror, ka thënë se sot po shënohet një hap i rëndësishëm në këtë projekt rreth partneritetit publiko-privat, që për herë të parë po ndodh në Republikën e Kosovës.


Ai ka shtuar se kompania e cila do të marrë me koncesion aeroportin do të investojë paratë e veta për ndërtimin e një terminali të hapësirave të aeroportit.


"Partneriteti publiko-privat për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës do të marrë formën e një marrëveshje 20-vjeçare për dizajn, ndërtim, financim, operim dhe transferim. Ofertuesi i përzgjedhur do të investojë paratë e veta për ndërtimin e një ndërtese të re të Terminalit dhe hapësirave të tjera të aeroportit. Ofertuesi i përzgjedhur gjithashtu do të operojë dhe do të mirëmbajë aeroportit gjatë kohëzgjatjes së kontratës në pajtueshmëri të plotë me nivelet e definuara të cilësisë dhe shërbimeve. Hapësirat e reja të aeroportit do të jenë një arsye për krenari nacionale", ka thënë ministri Limaj.

 


Sipas tij ofertuesi i përzgjedhur pritet të shtojë fitimet e aeroportit përmes kursimeve në efikasitet dhe të ardhurave të shtuara komerciale dhe do të kompensohet për shërbimet dhe investimet e tij përmes përqindjes nga të hyrat bruto të aeroportit. Për herë të parë, Buxheti i Konsoliduar i Kosovës do të marrë gjithashtu një përqindje të të hyrave bruto të aeroportit, në një shumë që do të përcaktohet në mënyrë transparente nga oferta fituese.

 

Limaj ka shtuar se fitues do të jetë ofertuesi që përmbushë kriteret ligjore dhe teknike, dhe që ofron përqindjen më të lartë të të hyrave bruto për Qeverinë e Kosovës.

 

Komiteti Drejtues i Projektit është i përkushtuar tërësisht në dhënien e kësaj kontrate përmes procedurave konkurruese, të drejta dhe transparente, prandaj është në pritje të konstatimit të komitetit vlerësues.

 

Patricia Reder, shefe e misionit të USAID-it në Kosovë ka thënë se kompania e cila do të fitojë për operimin e ANP-së do të investojë rreth 200 milion euro në infrastrukturë dhe njëherësh aeroporti do të bëhet një burim i ri financimi për buxhetin e Kosovës.

 

"Fituesi do të investojë rreth 200 milionë euro në infrastrukturën e aeroportit. Gjithashtu, do të kërkojmë nga ai që të operojë aeroporti sipas standardeve dhe cilësive ndërkombëtare. Operatori ndërkombëtar gjithashtu do të paguajë taksa qeverisë që përherë të parë në histori të aeroportit do të jetë kontribuues pozitiv. Në këtë mënyrë populli i Kosovës dhe vizitorët e vet do të përfitojnë nëpërmes shërbimeve njëkohësisht edhe buxheti i Kosovës nga burimi i ri të hyrave", ka thënë Reder.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka theksuar se Kosova ka nevojë për investime të tilla.

 

"Kosova ka nevojë për investime në infrastrukturën e saj dhe çdo vonim apo zvogëlim i këtyre investimeve nuk është në përputhje me objektivat e Qeverisë së Kosovës dhe popullit të Kosovës. Vendi i ri të jetë më konkurrent me të gjitha segmentet e zhvillimit ekonomik shoqëror e politik", ka thënë ministri Shala.

 

Ai ka potencuar se ekzekutivi është i përkushtuar me gjithë potencialet në mënyrë investitor të kenë hapësirë të mjaftueshme, të drejtë dhe të barabartë për zhvilluar sektorët e nevojshëm për popullin e Kosovës.

 

Tri ofertat publike të bëra sot janë të konzorciumeve Limak Aeroports de Lyon Consortium, ICF Fraport IC ICTAS consortium Hawalimani dhe Prishtina Aeroports International Consortium (IPAC). Pritet që pas një jave të bëhen publike edhe ofertat financiare të këtyre konzorciumeve.

 

Burimi; gazetaexpress.com/ 28 Prill 2010


Komentet:



Email:






Oda Ekonomike e Kosoves mban te drejten e perzgjedhjes se komenteve qe do te botohen.
Komentet e vizitoreve nuk pasqyrojne qendrimet dhe pikepamjet e OEK.



    go button