Crime to Crime

Sistemi Sim to Sim, si duket ka nisur direkt prej drejtuesve të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Në vitin 2006, kallauzët e kësaj kompanie kanë bërë marrëveshje me Adrian Shatkun, pronar i kompanisë telekomunikuese Uniglobal Village, duke i dhënë atij qindra sim kartela përnjëherë.


Këta numra ai i ka shfrytëzuar më vonë për të realizuar thirrje ndërkombëtare ilegale me të ashtuquajturit sim boxet e tij, të cilat e kanë goditur rëndë Postën e Kosovës.


Shatku, njëherësh është njëri nga aksionarët e kompanisë Dardafon, pjesë e së cilës është operatori virtual mobil "Z Mobile".


Shitja e këtyre kartelave nga PTK-ja është bërë pa iu nënshtruar rregullativës ligjore. Madje kjo kompani që i ka blerë ato s`ka pasur asnjë licencë nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit, të cilit është dashur t'i përgjigjet për shërbimet, e as të ndonjë institucioni tjetër përkatës.


Sistemi Sim to Sim mundëson komunikimin telefonik në atë mënyrë që rrjeti ndërkombëtar telefonik mes dy shteteve, zëvendësohet plotësisht me komunikim nëpërmjet rrjeteve ilegale.


Burime të Expressit kanë treguar disa nga kontratat që ka lidhur menaxhmenti i PTK-së në atë kohë për këta numra në masë të madhe. Një kontratë, e publikuar si faksimil në faqet e Expressit, tregon se si Adrian Shatku ka pranuar me qindra sim kartela nga drejtoria e Postës. Aty nënshkrues është edhe Shatku.


Njëri prej ndërkombëtarëve në menaxhmentin e PTK-së të asaj kohe, ka dhënë edhe një shpjegim ligjor që duhet ndihmuar Shatkun për të zhvilluar punët e tij.


"Me këto kontrata dhe bashkëpunime me këto kompani të panjohura dhe të palicencuara në Kosovë, krimi Sim to Sim ka lulëzuar në PTK", tha një burim i Expressit.


Sim to Sim ka ngulur rrënjë të forta në Kosovë sa që tani shumë kompani të mëdha ndërkombëtare s`po mund ta zhdukin.


Zëdhënësi i PTK-së, Menduh Abazi, deklaron se është në dijeni për këto kontrata, të cilat i kanë shkaktuar dëme të mëdha PTK-së. Por, tregon se sipas kohës kur janë të nënshkruara ato, faji hidhet mbi ish-menaxhmentin e kompanisë kur ka qenë drejtor Etrur Rrustemaj.


Ai thotë se me Shatkun janë duke u përballur nëpër gjykata për shkak të humbjeve që iu ka shkaktuar për një kohë të gjatë.


"PTK-së, Shatku i ka shkaktuar shumë humbje dhe ne jemi duke e ndjekur atë me procedura gjyqësore, të cilat janë ende në proces e sipër", tha zëdhënësi Abazi.


Sipas tij, këto çështje janë duke u hetuar dhe së shpejti do të bëhen publike përmes seancave gjyqësore.


Tash katër vjet, kartelat Sim to Sim janë duke e goditur rëndë buxhetin e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Humbjet në baza mujore janë prej 1 deri në 1.5 milion euro, që do të thotë brenda vitit kapin shumën prej 16 milionë euro. Asnjë prej drejtuesve të kësaj kompanie nuk ka bërë ndonjë tentativë serioze por të ndalur këtë punë. Madje këto as nuk janë bërë të ditura deri më tani nga menaxhmenti.

 

Burimi: gazetaexpress.com/ Prill 2010


Komentet:



Email:






Oda Ekonomike e Kosoves mban te drejten e perzgjedhjes se komenteve qe do te botohen.
Komentet e vizitoreve nuk pasqyrojne qendrimet dhe pikepamjet e OEK.



    go button