Unused millions

Rreth 500 milionë euro konsiderohen tepricë e sektorit bankar, e të cilat nuk shfrytëzohen nga bankat komerciale. Përkundër kësaj, bankat kanë shtrënguar dorën për kredidhënie. Ndërkaq, për uljen e kamatave as që bëhet fjalë. Ato kanë mbetur të njëjta që prej 10 vitesh.


Raporti i Bankës Qendrore për vitin 2009 tregon se depozitat janë rritur për 300 milionë euro, duke arritur në total 1.7 miliard euro. Sipas raportit, depozitat janë rritur me normë dukshëm më të lartë sesa kreditë, duke zvogëluar kështu raportin kredi-depozita në 73.9 për qind. 


“Kjo rritje e depozitave konfirmon besimin e depozitarëve ndaj sektorit bankar”, thuhet në raportin e BQK`së. Por jo edhe anasjelltas. Në anën tjetër, ngadalësimi i kredidhënies nga ana e bankave ka bërë që norma vjetore e rritjes së kredive në fund të vitit 2009 të jetë 8.9 për qind, që është dukshëm me e ulët krahasuar me normën vjetore prej 32.7 për qind, në vitin 2008. Si shkas për këtë thuhet të jetë kriza financiare.


Megjithatë, drejtori ekzekutiv në institutin “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, thotë se problemi në sistemin bankar në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë me fondet në dispozicion për kredi.


“Treguesit financiarë në Kosovë paraqesin se janë rreth 500 milionë euro tepricë e mjeteve që bankat do t’i jepnin për kredi pa asnjë problem”, thekson Abdixhiku. Sipas tij, thelbi i problemit është në çmimin e kësaj kredie, që vazhdon të jetë më i larti në Evropë. 



“Me këtë çmim vështirë se ndonjë kredi mund të jetë fizibile për ndonjë biznes ose qytetar. Rritja në depozita vetëm sa e thellon këtë tepricë të kredidhënies”, thotë ai.


Rritja e depozitave pohon ai duhet të merret edhe si një sinjal për bankat që të provojnë lëvizjen nga normat e tanishme të interesit. Në anën tjetër, nëse ankesat e bankave në Kosovë janë për mungesën e një sistemi ligjor që garanton kreditë e tyre, Abdixhiku mendon se institucionet duhet të krijojnë parakushte që çështjet bankare të zgjidhen në linja të veçanta gjyqësore. 


Eksperti i ekonomisë, Milazim Abazi, nuk mendon se ka aq rritje të depozitave, sa të ulen kamatat apo edhe të rriten kreditë.


“Ajo rritje është shumë e vogël. Kosova i ka depozitat me të ulëta për kokë banori në Evropë”, thotë Abazi.


Si zgjidhje, ai kërkon që paratë e investuara jashtë vendit, që janë mbi 1 miliard, të kthehen në Kosovë. Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, do të rritej oferta e parasë dhe me këtë edhe do të uleshin kamatat.


“Ne kemi ofertë më të vogël të parasë sesa që janë depozitat”, thotë Abazi.
Abazi e sheh si problem të madh edhe mungesën e Ligjit për depozitat. Ky ligj aktualisht është në Kuvend dhe pret miratimin nga deputetët. Thotë se garantimi i vetëm 2 mijë eurove si depozita, e bën këtë ligj të mangët. 


“Standardi i BE`së është 25 mijë euro. Unë mendoj se është dashur të garantohen së paku 12 mijë e 500 euro”, pohon ai. Ndryshe, ky kujdes i shtuar i bankave rezultoi me rënie të profitit të sektorit bankar. Në fund të vitit 2009, u regjistrua profit neto në vlerë prej 25.3 milionë euro apo 30.5 për qind më i ulët krahasuar me vitin e kaluar.

 

Burimi: gazetaexpress.com/ Korrik 2010


Komentet:



Email:






Oda Ekonomike e Kosoves mban te drejten e perzgjedhjes se komenteve qe do te botohen.
Komentet e vizitoreve nuk pasqyrojne qendrimet dhe pikepamjet e OEK.



    go button