ARBITRAGE

kattely-min-1140x450

ARBITRAGE

PROFILI I ARBITRAZHIT PRANË OEK
Tribunali i Përhershëm i Abritrazhit (“TPA”), është themeluar në vitin 2011, i cili paraqet një institucion të ristrukturuar, i cili ka evoluar nga gjykata e arbitrazhit pranë Odës Ekonomike të Kosovës(“OEK”).  Legjislacioni në fuqi, përkatësisht Ligji Nr. 2004/7, “Për Odën Ekonomike të Kosovës”, autorizon në mënyrë shprehimore OEK-un që të ofrojë shërbime e arbitrimit.

Momentalisht, në listën e arbitrave të përhershëm që ofron TPA janë 30 arbitra, përshirë arbitra me renome në praktikën ndërkombëtare. Po ashtu, rishtazi në marrëveshje me arbitrazhet e rajonit, lista jonë është zgjeruar me arbitra të eksperiencuar.

TPA ofron hapësira moderna për seancat dëgjimore dhe momentalisht është duke zhvilluar sistemin për menaxhimin e rasteve.

Deri më tani, TPA ka zgjidhur 7 (shtatë) konteste të gjitha nga fusha komerciale. Në këto konteste janë emëruar arbitra nga lista e përhershme e cila ofrohet nga TPA dhe jashtë saj. Palët në këto konteste të përfshira në arbitrazh kanë qenë subjekte juridike vendore dhe ndërkombëtare, si persona të drejtës publike ashtu edhe të drejtës private.

II.BAZA LIGJORE E THEMELIMIT TË TPA

Sipas dispozitave të Ligjit Nr. 2004/7 “Për Odën Ekonomike të Kosovës”, OEK ka autorizim publik të themelojë arbitrazhin e përhershëm, i cili ka kompetencë të zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet anëtarëve të OEK dhe ndërmjetë anëtarëve dhe  personave të tjerë juridik dhe fizik.

Po ashtu, rregullat institucionale të Arbitrazhit janë hartuar në pajtim me dispozitat e Ligjit Nr.02/L-075 “Për Arbitrazhin.

III.RREGULLAT E ARBITRAZHIT

Rregullat në fuqi, të cilat kanë shfuqizuar rregullat paraprake të vitit 1999, janë miratuar më 24 Korrik të vitit 2011. Këto rregulla janë hartuar duke u bazuar në rregullat e mirënjohura të arbitrazheve institucionale dhe ad hoc. Këto rregulla të procedurës aplikohen me automatizëm nëse një marrëveshje e arbitrazhit e referon Kosovën si vend i arbitrazhit, përjashtimisht situatave kur palët me marrëveshje u janë referuar rregullave të tjera apo rregullave të institucioneve të tjera. Kapitulli i fundit i këtyre rregullave rregullon procedurën e përshpejtuar, procedurë e cila ndiqet për secilin kontest vlera e të cilit është nën 100,000.00 EUR.

PËRPARËSITË E ARBITRAZHIT
Arbitrazhi është një nga mënyrat alternative dhe efikase të zgjidhjes së kontesteve. Bizneset dhe jo vetëm, janë të interesuara në zgjedhjen e shpejtë dhe jo-burokratike të kontesteve.

Arbitrazhi është procedurë e cila ditëve të tashme globalisht dominon në kontestet në mes të bizneseve. Kontestet më të komplikuara dhe me vlera më të mëdha zgjidhen nga tribunalet e arbitrazheve nëpër botë.

Procedura e arbitrazhit është transparente dhe ofron mjete të kontrollit të procedurës nga palët. Procedura është e paraparë me rregullat e arbitrazhit, por kohëzgjatja, administrimi i provave vendoset në pajtim të dy palëve në kontest.

Si përparësitë kryesore të arbitrazhit ndaj gjykatave shtetrore, konsiderohen: (i) fleksibiliteti; (ii) efikasiteti në kohë dhe shpenzime; (iii) plotëfuqishmëria e vendimit të arbitrazhit dhe (iv) konfidencialiteti i procedurës dhe vendimeve.

FUSHËVEPRIMI I ARBITRAZHIT
Në bazë të Nenit 5, paragrafi 2, i Ligjit Nr. 02/L-75 “Për Arbitrazhin”, të gjitha mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me kërkesa civile-juridike dhe ekonomike-juridike mund t’i nënshtrohen arbitrazhit, përveç nëse është e ndaluar me ligj.

Në ndërlidhje me Ligjin Nr. 03/L-006 “Për Procedurës Kontestimore”, kontestet ku gjykatat shterore kanë kompetencë ekskluzive lëndore dhe territoriale janë: (i) kontestet nga marrëdhëniet familjare; (ii) kontestet nga sendet e paluajtshme; (iii) kontestet e falimentimit dhe (iv) kontestet lidhur me mjetet e fluturimit.

Andaj, nuk paraqitet ndonjë pengesë ligjore që kontestet midis kompanive të sigurimeve dhe mbajtësëve të polisave të zgjidhen pranë abritrazhit dhe si pasojë e kësaj, kompanitë e sigurimeve mund të kontraktojnë arbitrazhin si forum për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me raportet e tyre kontraktore dhe jashtë-kontraktore.

Vegim Kraja

Secretary of the Permanent Tribunal of Arbitration Oda Ekonomike e Kosovës/ Kosova Chamber of Commerce Nëna Terezë, Nr. 20

10000 Prishtinë

Republika e Kosovës

Tel:           +381 (0) 38 712 364

Fax:          +381 (0) 38 224 299

www.kosovo-arbitration.com<http://www.kosovo-arbitration.com>