"Multi-Donor Trust Fund", i krijuar qe dy vjet në Bankën Botërore, më në fund u zhbllokua. Me 60 milionë eurot e mbledhura nga donatorët në këtë fond, në Kosovë për tri vjet do të punësohen 12 mijë veta.
Për të shfrytëzuar këto para, është dashur që Qeveria e Kosovës të ndajë tetë milionë euro për mbështetjen e projektit për punësim të qëndrueshëm. Këtë e ka bërë Qeveria, të enjten, duke ia dhënë rreth 1.5 milion euro Ministrisë së Tregtisë, rreth 2.3 milionë asaj të Punës dhe rreth 4 milionë Ministrisë së Arsimit.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe i Financave, Bedri Hamza, ka shpjeguar se për vitin e parë është dashur nga buxheti të financohet një pjesë e projektit, ndërkaq Banka Botërore çdo vit do të ndajë nga 20 milionë euro.
"Ka qenë kërkesë e Bankës Botërore që për të dhënë ajo 60 milionë euro për tre vjet, Qeveria të participojë me një fond prej tetë milionë eurosh në vitin 2010", ka pohuar Hamza.
Dokumenti Strategjik për Punësim të Qëndrueshëm pritët të fillojë të zbatohet në vitin 2010 dhe të zgjasë deri në vitin 2012.
Hartuesi i këtij projekti, Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, në këtë periudhë synon ngritjen e kapaciteteve të shërbimeve publike të Kosovës, zbatimin e programeve për rritjen e sigurisë në punë dhe zgjerimin e programeve aktive të tregut të punës.
Banka Botërore ka kërkuar që të hartohet një dokument strategjik, i cili do të shënojë fushat e politikave ku do të shkojnë paratë.
Në fondin "Multi-Donor Trust Fund", të Bankës Botërore, tashmë janë zotuar për të derdhur mjete nëntë vende donatore. Ky fond u mundëson donatorëve të ndihmojnë Kosovën në avancimin e reformave përmes përkrahjes buxhetore.
Zyrtarë të BB-së kanë bërë të ditur se secili transfer do të ndodhë pasi që Qeveria të implementojë disa reforma të dizajnuara për të përmirësuar kushtet për punësim të qëndrueshëm dhe për menaxhim transparent të financave publike.
Komisioni Evropian është i pari që i është bashkangjitur programit për përkrahje buxhetore Kosovës të ngritur nga Banka Botërore, bashkë me Britaninë e Madhe, Suedinë, Finlandën, Republikën Çeke, Norvegjinë, Danimarkën, Estoninë, Italinë dhe Zvicrën.
Megjithatë, donatorët nuk janë të detyruar që t'i sjellin paratë përmes fondit të BB-së. Ata mund të zgjedhin që në mënyrë të drejtpërdrejtë t'ia japin ato Qeverisë, apo t'i menaxhojnë drejtpërdrejt projektet e tyre.
Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas statistikave të publikuara nga institucionet ndërkombëtare dhe vendëse, është alarmuese dhe aktualisht sipas të dhënave zyrtare ka arritur në mbi 40 për qind. Në zyrat e punësimit në Kosovë janë regjistruar si të papunë më shumë se 300 mijë persona, ndërsa llogaritet se këtij tregu çdo vit i shtohen nga 35 mijë punëkërkues, më shumës e 60 për qind e të cilëve janë të pakualifikuar.
Burimi:gazetaexpress.com/ 05.02.2010
Rr. Nėna Terezė nr.20 - 10000, Prishtinė, Republika e Kosovės - Copyright © 2009 oek-kcc.org - All rights reserved


