Bie biznesi i veturave

artikuj

Mundësitë e kosovarëve për të blerë vetura janë zvogëluar në mënyrë drastike. Kjo gjë vërehej lehtë në tregun e veturave në dalje të Prishtinës. Ndryshe nga herët e kaluara që ishte gjithmonë i mbushur me tregtarë, të dielën ky treg dukej shkretë. Vërehej në masë të madhe mungesa e kosovarëve në emigracion, të cilët, posaçërisht gjatë verës sjellin vetura të mira dhe të shtrenjta.


Sipas tregtarëve, rënia e fuqisë blerëse po ndodh për shkak të kushteve të këqija ekonomike, por edhe çmimeve të shtrenjta të veturave. Në ngritjen e çmimeve, thonë ata, kanë ndikuar edhe taksat doganore në kufi dhe homologimi.


Megjithatë, tregtarët po gjenden disi duke aplikuar forma klasike të shitjes. Ndërrimi veturë me veturë ka qenë e vetmja mundësi për Arben Bytyqin, i cili kishte nxjerrë në treg veturën e markës Mercedes. Me çmimin prej 4.500 eurosh sa e mbante veturën, ka qenë e pamundur të gjendet ndonjë blerës me para në dorë.


"Kohëve të fundit, sidomos ka rënë shumë disponimi i njerëzve me ble vetura. Kryesisht blerësit ankohen se janë të shtrenjta", thotë Bytyqi.
Të njëjtin mendim e ndan edhe tregtari Afrim Krasniqi, i cili veturën e markës "Passat" e mbante 6 mijë euro. Sipas tij, varfëria te popullata dhe mungesa e parave e bënë të veten. Madje, edhe ato që shiten, zakonisht janë me ndërrime.


"Të paktën unë deri tash nuk pashë që dikush e shiti veturën", pohon ai.
Në anën tjetër, veturat me targa të huaja, që ishin me numër të paktë, mbanin edhe çmimet me të shtrenjta. Taksa doganore dhe homologimi kanë qenë vetëm disa nga arsyet që Artan Konjushën e kanë shtyrë që çmimin e veturës "Mercedes" ta mbajë 12 mijë euro.


"Pagesat në kufi e kanë bërë të veten", thotë ai.


Homologimi i veturave nënkupton procesin e shikimit teknik të automjetit që hyn në Kosovë. Këtë rregull, Ministria e Transportit e ka futur në zbatim para disa muajsh. Përderisa nuk kryhet kjo procedurë, asnjë veturë nuk mund të zhdoganohet.


Për Idriz Berishën, nga Gjermania, shteti është mirë të kujdeset të mos hyjë gjithçka, por duhet të këtë kujdes edhe për çmimet. Ata që pësojnë më se shumti, sipas tij, janë vetë qytetarët e Kosovës. Kjo sepse për veturën "Opel Astra" që ai e ka sjellë në Kosovë, ka paguar 2.300 euro, ndërsa në kushte normale kjo veturë kushton 7000 mijë euro. Madje, e njëjta veturë po të hynte prej Italisë në Gjermani, atij do t'i kushtonte vetëm 270 euro. Ai thotë se ka tregtuar vetura në të gjitha vendet e Evropës dhe vetëm në Kosovë është një regjim i tillë. Ankohet edhe për pritjet e gjata në kufi për shkak të procedurave të homologimit.


"Është problem të shiten veturat që kushtojnë mbi dhjetë mijë euro", shpjegon Berisha.


Ndërkaq çmimet nga automjetet e tjera sillen varësisht prej markës. Kështu, "Golf 3" shkon nga 2500 deri në 5000 mijë euro. Marka "Peugeot" është me e shtrenjtë - prej 6000 deri 7000 mije euro dhe shumë e pëlqyer nga kosovarët. Kurse vetura "Passat", varësisht prej vitit të prodhimit, sillet rreth 14.500 euro.


Tregtarët mendojnë se çmimi me i arsyeshëm për njerëzit në Kosovë, do të ishte prej 5000 - 6000 euro.

 

Burimi: gazetaexpress.com/ 09 Shkurt 2010


< Kthehu Pas
 
 
 


Ekonomi dėshpėruese

Bankat komerciale nė Kosovė, pėrfshirė kėtu edhe Bankėn Qendrore, po