Nuk dihet pronari

artikuj

Përveç telasheve me pasuritë jashtë Kosovës, që nuk po mund t'i privatizojë AKP-ja, Qeveria e Kosovës ende nuk e ka sqaruar si duhet se çfarë do të bëhet me pronat, të cilat u kanë takuar institucioneve që në të kaluarën kanë qenë përgjegjëse për turizmin në Kosovë.

 

Ligjit për turizmin, që është dashur ta rregullojë këtë çështje, i është hequr neni përkatës.

 

Agjensioni Kosovar i Privatizimit, pasi të përfundojë me shitjen e pasurisë shoqërore brenda territorit të Kosovës, pritet të përgatisë për shitje edhe pasuritë e ngjashme që janë jashtë kufijve territorialë.

 

Pronësia e këtyre pronave apo objekteve ende nuk është definuar dhe AKP-ja pritet të nxjerrë në shitje vetëm ato në të cilat ka qasje.

 

Por, Qeveria e Kosovës ka edhe një telash tjetër. Ende nuk e ka sqaruar si duhet se çfarë do të bëhet me pronat, të cilat u kanë takuar institucioneve që në të kaluarën kanë qenë përgjegjëse për turizmin në Kosovë. Qoftë edhe për ato brenda territorit të Kosovës.

 

As Ligji për AKP-në e as Ligji i ri për turizmin nuk parashohin ndonjë zgjidhje për këtë.

 

Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë ka kërkuar që këto pasuri të kthehen në pronësi të Qeverisë së Kosovës dhe pastaj të vendoset për fatin e tyre, ndërkaq në seancën e parafundit të Kuvendit të Kosovës, deputetët kanë votuar kundër kësaj kërkese.

 

Ata kanë hequr nga Ligji për turizmin dhe shërbimet turistike komplet nenin që flet për këtë punë.

 

"E tërë prona, e cila u ka takuar institucioneve që në të kaluarën kanë qenë përgjegjëse për turizmin në Kosovë, me hyrjen në fuqi të këtij ligji kalon në pronësi të Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht Ministrisë përgjegjëse për turizmin", ka qenë ky neni i paraparë për të rregulluar këtë fushë.

 

Kreu i MTI-së, Lutfi Zharku, thotë se më këtë ka dashur t'i fusë në menaxhim pronat, të cilat nuk kanë statut dhe nuk menaxhohen nga askush.

 

"Qëllimi kryesor ka qenë që qeverisë t'i kthehen pronat pa statut", thekson Zharku.

 

Vendimin e legjislativit, që të vazhdojë edhe për një kohë këtë paqartësi, ai e vlerëson të padrejtë dhe pohon se do të kërkojë që të rishqyrtohet edhe njëherë.

 

Por, më së miri këtë vendim e ka pritur drejtori i Lidhjes Turistike të Kosovës, Shkelzen Riza, i cili thotë se objekti afër Teatrit Kombëtar, ku janë vendosur zyrat e kësaj shoqate, është pronë e shoqatës.

 

"Kjo është pasuri e njerëzve që kanë kontribuuar nga anëtarësia", thotë Riza.


Ndaj tyre, sipas tij, nuk ka kompetencë as AKP-ja e as ndonjë institucion tjetër qeveritar.

 

Objektin, ku ai qëndron, e krahason me Stadiumin e Prishtinës, për të cilin Komuna nuk mund të kërkojë pronësi mbi të pasi që thotë se është i qytetarëve.
Për këtë thotë se posedon dokumentacionin e plotë se si është mbledhur kontributi i anëtarësisë për ndërtimin e zyrave.

 

Lidhja Turistike e Kosovës, Riza shpjegon se në kohën kur e ka ndërtuar këtë objekt ka qenë institucion bartës i turizmit për Kosovë në kohën e ish Jugosllavisë.

 

Në të njëjtën kohë, kjo shoqatë ka ndërmjetësuar me Fondin e Federatës për ndërtimin e objekteve turistike në Kosovë, përfshirë qendrën turistike të Brezovicës dhe objekteve tjera hoteliere në vendet e rajonit.
Megjithëse tani kjo shoqatë nuk ka ndonjë rol ndërmjetësues, Riza thotë se po angazhohet në kthimin e pronave që i takojnë shtetit të Kosovës, por me shpërbërjen e Jugosllavisë kanë mbetur jashtë kufijve.

 

"Janë me qindra objekte hoteliere dhe pasuri të Kosovës, të cilat Serbia po mundohet me falsifikime t'i bëjë pronë të veten", pohon Riza.

 

Ai kritikon MTI-në se pa të drejtë po e mban sektorin e turizmit si departament brenda kësaj ministrie.
Turizmi në Kosovë, sipas tij, nuk është industri dhe më mirë do të ishte t'i bashkohej Ministrisë së Kulturës.

 

Burimi:gazetaexpress.com/01.03.2010

 


< Kthehu Pas
 
 
 


E mirėpresin embargon

Vendimi i Qeverisė pėr aplikimin e masave reciproke ndaj produkteve tė