Ky borxh është akumuluar pasi kontrata e lidhur në mes të dy palëve është në kundërshtim me nenin 7.1 të Ligjit të Prokurimit Publik, i cili specifikon që në rastet e kontratave për furnizim autoriteti kontraktues duhet të saktësojë vlerën e përgjithshme të prokurimit. Edhe pse autoritetet e tjera kontraktuese në tenderët për furnizim me naftë dhe mazut specifikojnë çmimin, kjo nuk ishte respektuar nga "Termokosi" më 24. 9. 2009, kur dy palët janë marrë vesh që mazuti të paguhet në bazë të ndryshimit të çmimit në bursën botërore.
Çmimi për një ton mazut në fillim të marrëveshjes ishte rreth 180 dollarë, ndërsa në muajin shkurt të këtij viti është trefishuar, duke shkuar deri në afro 600 dollarë për një tonë.
Shpëtimin e "Termokosit" nga kolapsi financiar pas nënshkrimit të kontratës "lëvizëse" nuk kishte mundur ta bënte as Qeveria e Kosovës, e cila kishte ndarë 600 mijë euro ndihmë, por kjo ndërmarrje kërkonte rreth 2 milionë euro për të dalë nga kriza.
Ndërkaq sipas zyrtarëve të kësaj ndërmarrjeje, mosspecifikimi i vlerës së përgjithshme të kontratës ka ndodhur edhe viteve të kaluara.
"Kontrata me ‘Compact Group' nuk specifikon vlerën e përgjithshme të kontratës e as çmimin për një ton mazut. Saktësohet vetëm çmimi për premium (shpenzimet administrative dhe të transportit v.j.), por kjo është konfidenciale", ka thënë Nuredin Kavaja, ushtrues detyre i shefit të prokurimit në "Termokos".
Sipas tij, pagesa që duhet të bëjë "Termokosi" varet prej ndryshimeve të çmimit në bursë.
Saqip Shala, pronar i kompanisë "Compact Group", ka theksuar se pret që në të ardhmen të merret vesh me drejtuesit e ndërmarrjes "Termokos" për shlyerjen e borxheve.
"Unë e kam ndërprerë furnizimin për shkak se nuk më kanë garantuar se do të m'i kryejnë obligimet", ka thënë Shala.
Sipas tij, në kontratën e lidhur ndërmjet këtyre dy palëve ka qenë i përcaktuar vetëm çmimi i premiumit, ndërsa çmimi për një ton mazut nuk ka qenë i specifikuar.
"Ka qenë e paraparë që të paguhet në bazë të lëvizjeve në bursën botërore", ka theksuar Shala.
Në anën tjetër, bordi drejtues i "Termokosit" ndërprerjen e sezonit të ngrohjes më 1 mars, 45 ditë para afatit ligjor, e ka arsyetuar me borxhet ndaj kontraktuesit të mazutit, si dhe gjendjen e vështirë financiare në të cilën gjendet kjo ndërmarrje, si pasojë e arkëtimit jo të kënaqshëm.
"Vetëm për dy sezonet e fundit i kanë borxhe ‘Termokosit' mbi 3 milionë e 260 mijë euro, si dhe borxhet ndaj kontraktuesit të mazutit, që për shkak të rritjes enorme në bursën botërore ka arritur shifrën 1 milion e 783 mijë e 913 euro, e kanë pamundësuar vazhdimin e sezonit ngrohës deri në afatin e paraparë, më 15 prill", theksohet në njoftimin për media.
Ndërkaq menaxhmenti i "Termokosit", sipas këtij njoftimi, ka shprehur gatishmërinë që me mjete vetjake të furnizojë me ngrohje vetëm Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Burimi:kohaditore.com/Shkurt 2010