Me buxhet prej 11.6 milionë eurosh të ndarë për bujqësinë, apo 500 mijë euro më pak se në mot, nuk mund të plotësojnë as afër kërkesat e fermerëve për subvencione. Këtë e ka shumë të qartë edhe Ministria e Bujqësisë, e cila pavarësisht përpjekjeve për t'u dalë në ndihmë fermerëve me këto kufizime buxhetore, e ka parë të udhës që t'ua mësyjë institucioneve ndërkombëtare për të marrë kredi.
Zyrtarë të kësaj ministrie sqarojnë për Express se janë në fazën e bisedimeve me Bankën Botërore për një kredi prej rreth 10 milionë eurosh.
Njazi Idrizi, këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë, thotë se prej kësaj shume, 45 për qind do të shpërndahen në formë të granteve për fermerët, ndërsa 55 për qind do të jepen si kredi me greis periudhë 10-vjeçare, kurse me afat 40-vjeçar të pagesës.
"Këto ditë një delegacion i Bankës Botërore po qëndron në Kosovë dhe jemi në bisedime për disa projekte dhe mundësinë e marrjes së kësaj kredie", tha Idrizi.
Megjithëse fjala është për aq mjete sa në fakt është edhe buxheti i kësaj ministrie këtë vit, Idrizi thotë se kjo kredi më shumë do të ketë karakter simbolik për investime.
Megjithatë, kjo kredi, sipas tij, do të ketë kushte më të favorshme se ato që jepen nga bankat komerciale në Kosovë. Investimet e bëra nga kreditë komerciale janë bërë nën trysninë e kthimit të normave të larta të interesit.
"Normat e interesit nga bankat tona në çdo rast kanë qenë mbi 10 për qind të kryeborxhit të cilat është dashur të kthehen pothuajse menjëherë", shtoi ai.
Megjithëkëtë, për zyrtarët e kësaj ministrie sukseset e këtyre investimeve lënë shumë për të dëshiruar. Përkundër kësaj, nëse eventualisht merret kjo kredi, prioritet do të jenë investimet në prodhimtarinë primare dhe në agropërpunim.
"Për plotësimin e nevojave të ushqimit, Kosova humb disa qindra miliona euro duke i nxjerrë jashtë vendit, edhe pse ne kemi kushte te favorshme agromjedisore për prodhimin e shumicës së produkteve", pohoi Idrizi.
Sipas një studimi të Bankës Botërore, Kosova vetëm në vitin 2006 i ka nxjerrë jashtë vendit rreth 300 milionë euro.
Nga ana tjetër, njohës të ekonomisë paralajmërojnë se edhe sivjet shumë lehtë mund të na përsëriten skenat rrëqethëse kur prodhuesit e qumështit patën derdhur qumështin si shenjë revolte kundër politikave qeveritare. Sado që Ministria e Bujqësisë në buxhet kishte 500 mijë euro më shumë se sivjet, probleme qenë shfaqur edhe te kultivuesit e grurit, që kërkonin subvencione dhe blegtorët e pakënaqur mbyllnin fermat.
Imer Rusinovci, profesor në Fakultetin e Bujqësisë, thotë se ndonëse bëhet fjalë për mjete simbolike, kredia prej 10 milionë eurove është diçka e mirë nëse përdoret siç duhet.
"Nevojitet profesionalizëm që të shkoqiten 2 ose tri prioritete për t'i financuar nga kjo kredi", tha Rusinovci.
Duke e parë vetëm si një nismë simbolike, Rusinvci shprehet skeptik se gjërat mund të lëvizin për të mirë. Problemet në bujqësinë kosovare, thotë ai, janë të vjetra, dhe atyre u ka ndihmuar një politikë e gabuar e udhëheqjes ndaj agrarit.
Ndryshe, ekspertët thonë se nuk duhet lënë Ministrinë e Bujqësisë të vetme në përballje me gjithë këto probleme të grumbulluara. Kërkojnë përkrahjen edhe të dikastereve të tjera, siç është Ministria e Financave.
Bisedojnë për kredi
Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë kanë thënë se janë në bisedime me Bankën Botërore për mundësinë e marrjes se një kredie prej 10 milionë eurosh.
Prej kësaj shume, 45 për qind do të shpërndahen në formë të granteve për fermerët, ndërsa 55 për qind do të jepen si kredi me greis periudhë 10-vjeçare e me afat 40-vjeçar të pagesës.
Burimi: gazetaexpress.com/ 9 Mars 2010