Gjatë takimit u prezantua se çfarë është CBAM, pse është i rëndësishëm për Kosovën, lidhja e tij me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së dhe cilat janë implikimet financiare dhe sfidat që ky mekanizëm sjell për vendin tonë.
Në diskutim u trajtuan tema të rëndësishme, duke përfshirë statusin aktual të Kosovës në lidhje me CBAM dhe përgatitjet e deritanishme, rolin dhe kapacitetet e institucioneve, bizneseve dhe shoqërisë civile për të mbështetur zbatimin efektiv të këtij mekanizmi, masat e ndërmarra nga institucionet qeveritare për të siguruar pajtueshmërinë dhe integrimin e Kosovës, si dhe mbështetjen e nevojshme nga institucionet, partnerët dhe aktorët ndërkombëtarë gjatë fazës implementuese të CBAM, që për Kosovën pritet të fillojë në vitin 2026.
Nga ky takim doli si rekomandim që CBAM të promovohet më shumë dhe të diskutohet rregullisht në formate të ngjashme, për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet sektorëve dhe për të siguruar një tranzicion të drejtë dhe të qëndrueshëm për Kosovën.