Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Lulzim Rafuna, gjatë vizitës zyrtare në Doha dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit me Oden Ekonomike të Katarit, u prit nga përfaqësuesit e Invest Qatar. Ky takim shënoi një hap të rëndësishëm në eksplorimin e mundësive të bashkëpunimit dhe identifikimin e fushave me interes të përbashkët midis Kosovës dhe Katarit.
Gjatë takimit, u diskutua mbi mënyrat për të forcuar lidhjet ekonomike midis dy vendeve dhe për të promovuar Kosovën si një destinacion atraktiv për investitorët katarian. Ky partneritet synon të krijojë ura të reja bashkëpunimi që mbështesin zhvillimin ekonomik, tregtinë dhe investimet në të dyja rajonet.
“Kosova ofron mundësi të shkëlqyera për investime në sektorë kyç si energjia, teknologjia, bujqësia dhe turizmi. Jam i bindur se bashkëpunimi ynë me Invest Qatar do të sjellë rezultate konkrete dhe përfitime të ndërsjella për të dy vendet,” tha Kryetari Rafuna.
Takimi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit strategjik për promovimin e investimeve dhe krijimin e një platforme të qëndrueshme për zhvillimin ekonomik, duke shërbyer si bazë për projekte të reja dhe përforcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Katarit.