Sot është shënuar një moment historik për ekonominë e Kosovës dhe lidhjet ndërkombëtare të saj. Është inauguruar linja e parë direkte ajrore mes Prishtinës dhe kryeqytetit të Arabisë Saudite, Riyadh.
Me këtë rast, Oda Ekonomike e Kosovës mirëpriti delegacionin e lartë të Odes Ekonomike të Arabisë Saudite, të udhëhequr nga Kryetari i saj, i cili po viziton Prishtinën së bashku me përfaqësues të bizneseve më të rëndësishme saudite.
Delegacioni u prit nga Kryetari i OEK, z. Lulzim Rafuna, me bashkëpunëtorë, në një ceremoni solemne dhe festive, duke shënuar kështu fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.
Kjo arritje është rezultat i kontratës së nënshkruar në Panairin e Përgjithshëm 2024, dhe tashmë konkretizohet me hapjen e kësaj linje të rëndësishme që pritet të lehtësojë qarkullimin e biznesit, investimeve dhe bashkëpunimeve të reja.
📅 Më 1 dhe 2 Tetor, në ambientet e Odes Ekonomike të Kosovës do të zhvillohen takime mes bizneseve të Arabisë Saudite dhe atyre kosovare, duke hapur mundësi të reja partneriteti dhe zhvillimi të përbashkët.
Oda Ekonomike e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe krijimin e urave të reja për bashkëpunim ekonomik për bizneset vendore.
ME SHUME