Gjatë vizitës zyrtare në Turqi, Kryetari i OEK, z. Lulzim Rafuna, u takua me Rektorin e TOBB University of Economics and Technology (TOBB ETÜ), Prof. Dr. Yusuf Sarınay, për të diskutuar modele të avancuara arsimore dhe bashkëpunimi me industrinë që mund të sjellin përfitime të drejtpërdrejta për Kosovën.
TOBB ETÜ është i njohur për fokusin e saj në teknologji, inxhinieri dhe biznes, si dhe për vizionin për të kthyer trurin nga diaspora. Sistemi i universitetit integron mësimin me kërkim-zhvillimin dhe bashkëpunimin intensiv me industrinë, duke i dhënë studentëve aftësi praktike dhe ekspertizë të avancuar.
Një shembull konkret është bashkëpunimi i TOBB ETÜ me kompaninë ASELSAN për zhvillimin e kompjuterit të parë kuantik në Turqi, përmes laboratorit të teknologjive kvantike të vendosur në kampus. Ky model tregon qartë sesi inovacioni mund të integrohet në arsimin e lartë dhe si mund të hapë rrugë për zhvillim ekonomik dhe teknologjik.
Modeli i “Cooperative Education” i TOBB ETÜ ofron mundësi praktike për studentët kosovarë: pas semestrit të pestë, ata përfshihen në praktikë në industri, duke u përgatitur drejtpërdrejt për tregun e punës dhe duke rritur mundësitë e tyre për karrierë.
Kryetari Rafuna shprehu gatishmërinë dhe angazhimin për të sjellë këtë model edhe në Kosovë, me qëllim zhvillimin e kapaciteteve lokale, rritjen e mundësive për studentët dhe përmirësimin e ekosistemit të biznesit dhe teknologjisë në vend.
ME SHUME