Me iniciativë të Odës Ekonomike të Kosovës, më 23 dhjetor 2025, është themeluar Forumi i Sektorit Privat në Republikën e Kosovës, si një platformë e përbashkët dhe e strukturuar bashkëpunimi ndërmjet organizatave përfaqësuese të komunitetit të biznesit.
Themelimi i Forumit synon unifikimin e qëndrimeve të sektorit privat, forcimin e dialogut institucional me autoritetet publike dhe avokimin për politika që kontribuojnë në përmirësimin e klimës së të bërit biznes, rritjen e investimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.
Forumi i Sektorit Privat përfshin organizata përfaqësuese të bizneseve vendore, si dhe institucione që përfaqësojnë interesat tregtare dhe investuese të huaja në Kosovë, duke krijuar një mekanizëm të koordinuar ndërmjet sektorit privat vendas dhe atij ndërkombëtar, si dhe duke forcuar pozicionin e Kosovës në ekonominë rajonale dhe globale.
I ndërtuar mbi parimet e transparencës, përfaqësimit të barabartë dhe funksionimit të rregullt institucional, Forumi shërben si platformë e përbashkët për koordinim, avokim dhe trajtim të çështjeve me interes të përbashkët ekonomik. Veprimtaria e tij rregullohet përmes Rregullores së Punës, e cila përcakton strukturën organizative, organet drejtuese, kryesimin rotativ dhe funksionimin e Sekretariatit.
Forumi udhëhiqet nga Këshilli i Forumit, i përbërë nga përfaqësues të autorizuar të organizatave anëtare, ndër të cilat: Oda Ekonomike e Kosovës, Zyra Tregtare e Austrisë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Këshilli i Investitorëve Evropianë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Oda Sllovene e Bizneseve në Kosovë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, si dhe Klubi i Biznesit.
Këshilli i Forumit përcakton prioritetet e avokimit, miraton qëndrimet e përbashkëta dhe siguron koordinimin institucional të veprimtarisë së Forumit. Kryesimi realizohet në mënyrë rotative me mandat njëvjeçar, duke garantuar përfaqësim të barabartë dhe vazhdimësi institucionale.
Forumi i Sektorit Privat në Kosovë synon të jetë zëri i unifikuar i komunitetit të biznesit dhe një partner i besueshëm i institucioneve publike në avancimin e reformave, rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë të Republikës së Kosovës.
ME SHUME