Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), z. Lulzim Rafuna, po merr pjesë në Takimin e Dytë Ministror për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Dubrovnik.
Ky takim mbledh përfaqësues të qeverive të rajonit, organizatave ndërkombëtare dhe sektorit privat, me qëllim avancimin e bashkëpunimit drejt një zhvillimi të qëndrueshëm dhe të gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Në këtë kuadër, Forumi i Investimeve i Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF) – që përfaqëson gjashtë dhomat e tregtisë të rajonit dhe mbi 350,000 kompani – theksoi rëndësinë e rolit të sektorit privat në zbatimin e Agjendës së Gjelbër.
“Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor është një vizion strategjik për transformimin e qëndrueshëm ekonomik, që krijon mundësi të reja për inovacion dhe rritje konkurruese,” u theksua gjatë takimit.
Si anëtare aktive e WB6 CIF, OEK mbetet e përkushtuar në mbështetjen e bizneseve kosovare për t’u përshtatur me kërkesat e Bashkimit Evropian për qëndrueshmëri dhe raportim mjedisor, përmes trajnimeve, këshillimeve dhe projekteve konkrete.
Vetëm përmes bashkëpunimit rajonal dhe angazhimit të përbashkët mund të ndërtojmë një ekonomi më të gjelbër, më të fortë dhe më të qëndrueshme për gjithë Ballkanin Perëndimor.
ME SHUME