Oda Ekonomike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, një proces me rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.
Kryetari i OEK-ut, z. Lulzim Rafuna, theksoi se mungesa e investimeve të huaja, së bashku me rënien e investimeve nga diaspora, po e vendosin ekonominë e Kosovës në një situatë tejet sfiduese. Ai shtoi se liberalizimi i tregut të energjisë ka krijuar pengesa të reja për bizneset dhe ekonominë në përgjithësi.
Oda Ekonomike e Kosovës apelon për gjetjen e një rruge të shpejtë për rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA dhe thekson nevojën urgjente për konsolidimin e politikave ekonomike, me qëllim rikthimin e besimit të investitorëve dhe krijimin e kushteve të qëndrueshme për zhvillim.