Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Lulzim Rafuna, u prit në një takim zyrtar nga ambasadorja e re e Finlandës, znj. Eevamari Laaksonen. Takimi u fokusua në thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Finlandës.
Ky takim u zhvillua një ditë para Forumit Ekonomik Kosovë–Finlandë, i cili mbahet më 9 tetor 2025 në Hotel Emerald, Prishtinë, nën moton: “Të gjithë së bashku për një Kosovë më të mirë”.
Gjatë bisedës u evidentua interesi i bizneseve kosovare për të krijuar lidhje me kompanitë finlandeze dhe për të zgjeruar aktivitetin e tyre në tregun finlandez. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta që kontribuojnë në rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë kosovare.